Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.
2 Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.
3 Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.
4 Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.
5 Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)
6 Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.
7 Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".
8 Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.
9 O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.
10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.
11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.
12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.
13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)
14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.
15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.
16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.
17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.
30 Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë.
31 Ndërsa Jehu po hynte në portë, ajo i tha: "A sjell paqen, Zimri, vrasës i zotit sate?".
32 Jehu ngriti sytë nga dritarja dhe tha: "Kush është me mua? Kush?". Dy ose tre eunikë dolën në dritare duke shikuar nga ai.
33 Ai tha: "Hidheni poshtë!". Ata e hodhën poshtë, dhe pak gjak i saj ra mbi murin dhe mbi kuajt; dhe Jehu kaloi mbi të.
34 Pastaj hyri brenda, hëngri dhe piu; në fund tha: "Shkoni të shihni atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti".
35 Shkuan, pra, ta varrosin, por gjetën prej saj vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve.
36 U kthyen t’i tregonin gjendjen Jehut, që tha: "Kjo është fjala e Zotit e shqiptuar me anë të shërbëtorit të tij Elia, Tishbitit, kur tha: "Qentë kanë për të ngrënë mishin e Jezebelit në fushën e Jezreelit;
37 kufoma e Jezebelit do të jetë në fushën e Jezreelit si pleh në sipërfaqen e tokës; kështu nuk do të mundin të thonë: Këtu prehet Jezebeli"".
37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.
38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: “Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.
39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.
40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur.”
41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj? Sille këtu djalin tënd.”
42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.
43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet: