Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 59

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

2 i Mbretërve 9:1-13

Atëherë profeti Eliseu thirri një nga dishepujt e profetëve dhe i tha: Ngjesh brezin, merr me vete këtë enë të vogël me vaj dhe shko në Ramoth tëë Galaadit.

Kur të arrish aty, kërko të takosh Jehun, birin e Jozafatit, që është bir i Nimshit; hyrë në dhomë, merre nga mesi i vëllezërve të tij dhe çoje në një dhomë të veçantë.

Do të marrësh pastaj enën e vogël me vaj dhë do ta derdhësh mbi kokën e tij, duke thënë: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit". Pastaj hape portën dhe mbathja pa humbur kohë".

Atëherë i riu, shërbëtori i profetit, u nis për në Ramoth të Galaadit.

Kur arriti aty, i gjeti kapitenët e ushtarët të ulur bashkë dhe tha: "Kam një kumtesë për ty, o kapiten". Jehu e pyeti: "Për cilin prej nesh?". Ai u përgjigj: "Për ty, kapiten".

Atëherë u ngrit dhe hyri në shtëpi; i riu i derdhi vajin mbi kryet, duke i thënë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të vajos mbret të popullit të Zotit, të Izraelit.

Ti do të godasësh shtëpinë e Ashabit, zotit sate, kështu do të marr hak për gjakun që kanë derdhur profetët, shërbëtorë të mi, dhe për gjakun e tërë shërbëtorëve të Zotit, që është derdhur nga dora e Jezebelit.

Tërë shtëpia e Ashabit do të shuhet dhe unë do të shfaros nga kjo shtëpi tërë meshkujt, skllevër apo të lirë, që janë në Izrael.

Kështu do ta katandis shtëpinë e Ashabit si shtëpinë e Joreboamit, birit të Nebatit, dhe si atë të Baashas, birit të Ahijahut.

10 Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.

11 Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".

12 Por ata thanë: "S’është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".

13 Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".

1 e Korintasve 1:18-31

18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.

19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”

20 Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?

21 Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,

22 sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri,

23 por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët,

24 kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë;

25 sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.

26 Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë,

27 por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët;

28 dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë,

29 që asnjë mish të mos mburret përpara tij.

30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,

31 që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin.”