Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
24 Abrahami ishte tashmë plak dhe ishte në moshë të kaluar; dhe Zoti e kishte bekuar Abrahamin në çdo gjë.
2 Dhe Abrahami i tha shërbyesit më të moshuar të shtëpisë së tij që qeveriste tërë pasuritë e tij: "Vëre dorën tënde nën kofshën time;
3 dhe unë do të bëj që ti të betohesh në emër të Zotit, Perëndisë së qiejve dhe Perëndisë të tokës, që ti nuk do t’i marrësh për grua djalit tim asnjë prej bijave të Kanaanejve në mes të të cilëve unë banoj;
4 por do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun".
5 Shërbëtori iu përgjegj: "Ndofta ajo grua nuk dëshiron të më ndjekë në këtë vend; a duhet ta çoj atëherë përsëri birin tënd në vendin nga ke dalë?".
6 Atëherë Abrahami i tha: "Ruhu e mos e ço birin tim atje!
7 Zoti, Perëndia i qiellit, që më hoqi nga shtëpia e atit tim dhe nga vendi ku kam lindur, më foli dhe m’u betua duke thënë: "Unë do t’ua jap këtë vend pasardhësve të tu," ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim.
8 Dhe në qoftë se gruaja nuk dëshiron të të ndjekë, atëherë ti do të lirohesh nga ky betim që më ke bërë; vetëm mos e kthe tim bir atje".
9 Kështu shërbyesi e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotit të tij, dhe iu betua lidhur me këtë problem.
10 Pastaj shërbyesi mori dhjetë deve nga devetë e zotit të tij dhe u nis, duke pasur me vete çdo lloj të mirash të zotërisë së tij. Ai e nisi rrugën dhe shkoi në Mesopotami, në qytetin e Nahorit.
11 Dhe i gjunjëzoi devetë jashtë qytetit pranë një pusi uji, aty nga mbrëmja, në kohën kur gratë dalin për të marrë ujë, dhe tha:
12 "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, të lutem bëj që sot të kem mundësinë të kem një takim të lumtur, trego dashamirësi ndaj Abrahamit, zotit tim!
13 Ja, unë po rri pranë këtij burimi ujërash, ndërsa bijat e banorëve të qytetit dalin për të mbushur ujë.
14 Bëj që vajza së cilës do t’i them: "Ah, ule shtambën tënde që unë të pi" dhe që do të më përgjigjet: "Pi, dhe kam për t’u dhënë për të pirë edhe deveve të tu," të jetë ajo që ti ja ke caktuar shërbyesit tënd Isak. Nga kjo unë do të kuptoj që ti ke treguar dashamirësi ndaj zotërisë tim".
15 Ai s’kishte mbaruar së foluri, kur, ja, doli Rebeka me shtambën në shpatullën e saj; ajo ishte e bija e Bethuelit, biri i Mikailit, gruaja e Nahorit dhe vëllai i Abrahamit.
16 Vajza ishte shumë e bukur, e virgjër dhe asnjë burrë nuk e kishte njohur kurrë. Ajo zbriti në burim, mbushi shtambën e saj dhe u ngjit përsëri lart.
17 Atëherë shërbyesi vrapoi në drejtim të saj dhe i tha: "Lermë të pi pak ujë nga shtamba jote".
18 Ajo u përgjegj: "Pi, zotëria im"; pastaj shpejtoi ta ulë shtambën mbi dorë dhe i dha të pijë.
19 Sapo mbaroi së dhëni ujë për të pirë, tha: "Do të mbush ujë edhe për devetë e tua, deri sa të ngopen me ujë".
20 Me nxitim e zbrazi shtambën e saj në koritë, vrapoi përsëri te burimi për të mbushur ujë për të gjithë devetë e tij.
21 Ndërkaq ai njeri e sodiste në heshtje, për të mësuar në qoftë se Zoti e kishte bërë të mbarë apo jo udhëtimin e tij.
17 Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë,
18 njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit,
19 dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë,
20 udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj.
21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?
22 Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt?
23 Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin?
24 Në fakt, siç është shkruar: “Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj.”
25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.
26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?
27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?
28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;
29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.