Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
11 Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë.
2 Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të,
3 duke thënë: “Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!.”
4 Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë:
5 “Unë po lutesha në qytetin e Jopes, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë.
6 Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit.
7 Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!".
8 Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur".
9 Por zëri m’u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!".
10 Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.
11 Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë.
12 Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasë kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu.
13 Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër.
14 Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote".
15 Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne.
16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë".
17 Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?.”
18 Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!.”
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
21 Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.
2 Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.
3 Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.
4 Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”
5 Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.”
6 Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.
31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”