Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
2 Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
3 Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
4 Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
5 Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
6 Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
26 Mbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri, dhe mbi këtë lloj froni, në pjesën e sipërme të tij, ishte një figurë që i përngjiste një njeriu.
27 Nga sa tregonin ijët e tij lart, unë pashë gjithashtu diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark; dhe nga sa tregonin ijët e tij poshtë pashë diçka që i përngjante zjarrit dhe që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh.
28 Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë dhe dëgjova zërin e dikujt që fliste.
2 Dhe më tha: "O bir njeriu, çohu më këmbë dhe unë do të të flas".
26 Atëherë Agripa i tha Palit: “Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!.” Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:
2 “O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,
3 veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.
5 Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.
6 Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,
7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.
8 Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t’i ringjallë të vdekurit?
9 Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.
10 Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.
11 Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.
12 Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,
13 në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.
14 Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Éshtë e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".
15 Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.
16 Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,
17 duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,
18 që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".