Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 30

30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.

O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.

O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.

I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,

sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".

O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.

Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,

duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".

11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,

12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

Isaia 5:11-17

11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!

12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.

13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.

14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.

15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.

16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.

17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.

Zbulesa 3:14-22

14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”