Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
7 Mbreti dhe Hamani shkuan, pra, në banketin bashkë me mbretëreshën Ester.
2 Edhe ditën e dytë, ndërsa gjatë banketit po shërbehej vera, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote, o mbretëreshë Ester? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".
3 Atëherë mbretëresha Ester u përgjigj: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, kërkesa ime është që të më jepet jeta; dhe kërkoj që populli im të falet.
4 Sepse unë dhe populli im kemi qenë të shitur për t’u prishur, për t’u vrarë dhe për t’u shfarosur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër dhe skllave do të kisha heshtur; por armiku nuk mund ta kompensojë kurrë dëmin që do t’i shkaktohej mbretit".
5 Mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester: "Kush është dhe ku ndodhet ai që ka guximin të bëjë një gjë të tillë?".
6 Esteri u përgjigj: Armiku dhe kundërshtari është ai i keqi Haman". Atëherë Hamanit i hyri tmerri në prani të mbretit dhe të mbretëreshës.
7 Mbreti u ngrit shumë i zemëruar nga banketi në të cilin shërbehej vera dhe shkoi në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani qëndroi për t’iu lutur me të madhe mbretëreshës Ester për jetën e tij, sepse e kishte kuptuar që mbreti kishte vendosur tashmë shkatërrimin e tij.
8 Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit, në vendin e banketit ku shërbehej vera; ndërkaq Hamani kishte rënë mbi divanin në të cilin rrinte Esteri. Atëherë mbreti thirri: "Dashke gjithashtu të dhunosh mbretëreshën, ndërsa unë vetë jam në shtëpi?". Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, ia mbuluan fytyrën Hamanit.
9 Pastaj Harbonahu, një nga eunukët, tha përpara mbretit: "Ja, në shtëpinë e vetë Hamanit është ngritur një trekëmbësh, i lartë pesëdhjetë kubitë, që Hamani kishte përgatitur për Mardokeun, i cili kishte folur për të mirën e mbretit". Mbreti tha: "Vareni aty këtë!".
10 Kështu Hamanin e varën në trekëmbëshin që kishte përgatitur për Mardokeun. Dhe zemërimi i mbretit u qetësua.
9 Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit.
10 Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori,
11 që thoshte: “Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice.”
12 Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari
13 dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks.
14 Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij e ngjanin një flake zjarri.
15 Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.
16 Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.
17 Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit,
18 dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.
19 Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre,
20 misterin e të shtatë yjeve që ti pe në të djathtën time, dhe të shtatë shandanëve prej ari. Të shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, dhe të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat.”