Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
53 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s’ka njeri që të bëjë të mirën.
2 Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë?
5 Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë.
6 Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.
4 Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: "Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur për të marrë dy bijtë e mi, për t’i bërë skllevër të tij".
2 Eliseu i tha: "Ç’duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?". Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj".
3 Atëherë ai i tha: "Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak.
4 Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen".
5 Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to.
6 Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: "Sillmë edhe një enë". Por ai iu përgjigj: "Nuk ka më enë". Dhe vaji u ndal.
7 Atëherë ajo shkoi t’ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke përr të jetuar ti dhe bijtë e tu".
10 Kur u kthyen apostujt, i treguan Jezusit të gjitha gjërat që kishin bërë. Atëherë ai i mori me vete dhe u tërhoq mënjanë, në një vend të shkretë të një qyteti, që quhej Betsaida.
11 Po, kur turmat e morën vesh, i ndiqnin; dhe ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim.
12 Tani kur dita filloi të mbarojë, të dymbëdhjetët iu afruan dhe i thanë: “Nise turmën, që të shkojë nëpër fshatra e nëpër fushat përreth, që të gjejë strehë dhe ushqim, sepse këtu jemi në një vend të shkretë.”
13 Por ai u tha atyre: “U jepni ju të hanë.” Ata u përgjigjen: “Ne nuk kemi tjetër veç se pesë bukë e dy peshq; vetëm nëse shkojmë vetë të blejmë ushqim për gjithë këta njerëz.”
14 Ishin, pra, rreth pesë mijë burra. Por ai u tha dishepujve të vet: “I vini të ulen në grupe nga pesëdhjetë.”
15 Ata vepruan në këtë mënyrë dhe i ulën të gjithë.
16 Atëherë ai i mori të pesë bukët dhe të dy peshqit dhe, pasi i ngriti sytë drejt qiellit, i bekoi, i ndau dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës.
17 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën; nga copat që tepruan mblodhën dymbëdhjetë shporta.