Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 39

39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".

Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.

Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:

"O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.

Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)

Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!

Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.

Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.

Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.

10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.

11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)

12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.

13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".

Jeremia 11:1-17

11 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:

"Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhje dhe foluni njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit.

U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: I mallkuar qoftë ai njeri që nuk dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje,

që unë u urdhërova etërve tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga furra prej hekuri, duke thënë: "Dëgjoni zërin tim dhe i bëni këto gjëra në bazë të atyre që ju komandoj; atëherë ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj,"

me qëllim që unë të mund të plotësoj betimin që u kam bërë etërve tuaj, t’u jap atyre një vend ku të rrjedhë qumësht dhe mjaltë, ashtu si po ndodh sot". Unë u përgjigja dhe thashë: "Kështu qoftë, o Zot!".

Atëherë Zoti më tha: "Shpalli tërë këto fjalë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, duke thënë: Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini në praktikë.

Sepse i kam nxitur me insistim etërit tuaj që nga dita që i nxora nga vendi i Egjiptit e deri më sot, i kam nxitur me urgjencë duke thënë: Dëgjoni zërin tim!!".

Por ata nuk e dëgjuan as ia vunë veshin, por secili eci sipas kryeneçësisë së zemrës së keqe të tij; prandaj unë do të bëj që të goditen nga të gjitha gjërat e përmendura në këtë besëlidhje, për të cilat kisha urdhëruar t’i respektonin, por që ata nuk i respektuan".

Pastaj Zoti më tha: "U zbulua një komplot midis njerëzve të Judës dhe midis banorëve të Jeruzalemit.

10 Janë kthyer në paudhësitë e etërve të tyre të lashtë, të cilët nuk pranuan të dëgjojnë fjalët e mia, dhe u shkuan pas perëndive të tjera, për t’u shërbyer; shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë shkelur besëlidhjen që unë kisha lidhur me etërit e tyre".

11 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t’i dëgjoj.

12 Atëherë qytetet e Judës dhe banorët e Jeruzalemit do të shkojnë t’u klithin perëndive të cilave u kanë djegur temjan, por këta nuk do t’i shpëtojnë në kohën e gjëmës së tyre.

13 Sepse o Judë perënditë e tua janë të shumta si qytetet e tua, dhe altarët që keni ngritur për atë gjë të turpshme, altarët për t’i djegur temjan Baalit, janë të shumtë si rrugët e Jeruzalemit.

14 Prandaj mos u lut për këtë popull dhe mos ngri për të asnjë britmë a lutje, sepse unë nuk do t’i kënaq kur do të më klithin mua për fatkeqësinë e tyre".

15 Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?

16 Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t’i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.

17 Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".

Romakëve 2:1-11

Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.

Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.

Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?

Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?

Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,

që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:

jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;

ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.

Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;

10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.

11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.