Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Eksodi 34:29-35

29 Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëllyese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin.

30 Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëllyese dhe ata kishin frikë t’i afroheshin atij.

31 Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre.

32 Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai.

33 Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij.

34 Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin deri sa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte.

35 Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, deri sa hynte të fliste me Zotin.

Psalmet 99

99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

2 e Korintasve 3:12-4:2

12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim,

13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anullohej.

14 Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet në Krishtin.

15 Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre.

16 Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet.

17 Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.

18 Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.

Prandaj, duke pasur këtë shërbim për mëshirën që na është bërë, ne nuk na lëshon zemra.

Ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri, duke mos falsifikuar aspak fjalën e Perëndisë, por duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu përpara Perëndisë.

Luka 9:28-36

28 Dhe ndodhi që afërsisht tetë ditë pas këtyre thënieve, Ai mori me vete Pjetrin, Gjonin Jakobin dhe u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Dhe ndërsa po lutej, pamja e fytyrës së tij ndryshoi dhe veshja e tij u bë e bardhë dhe e ndritshme.

30 Dhe ja, dy burra po bisedonin me të; ata ishin Moisiu dhe Elia,

31 të cilët, të shfaqur në lavdi, i flisnin për ikjen e tij nga kjo jetë që do të kryhej së shpejti në Jeruzalem.

32 Pjetri dhe shokët e tij ishin të këputur nga gjumi; po kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me të.

33 Dhe, ndërsa këta po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të rrijmë këtu; le të bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian”; por ai nuk dinte ç’thoshte.

34 Dhe ndërsa ai po fliste kështu, erdhi një re që i mbuloi në hijen e vet; dhe dishepujt i zuri frika, kur hynë në re.

35 Dhe një zë dilte nga reja duke thënë: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni.”

36 Dhe ndërsa fliste ky zë, Jezusi u gjet krejt vetëm. Ata heshtën dhe në ato ditë nuk i treguan kurrkujt asgjë nga ç’kishin parë.

Luka 9:37-43

37 Të nesërmen, kur ata zbritën nga mali, ndodhi që një turmë e madhe i doli përpara Jezusit.

38 Dhe ja, një burrë nga turma filloi të bërtasë, duke thënë: “Mësues, të lutem, ktheje vështrimin mbi djalin tim, sepse është i vetmi që kam.

39 Dhe ja, një frymë e kap dhe menjëherë ai bërtet; pastaj e përpëlit dhe e bën të nxjerrë shkumë dhe mezi largohet, pasi e ka sfilitur.

40 U jam lutur dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata nuk kanë mundur.”

41 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj? Sille këtu djalin tënd.”

42 Dhe, ndërsa fëmija po afrohej, demoni e përpëliti atë dhe e sfiliti. Por Jezusi e qortoi frymën e ndyrë, e shëroi djalin dhe ia dorëzoi atit të vet.

43 Të gjithë mbetën të mahnitur nga madhëria e Perëndisë. Dhe, ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte Jezusi, ai u tha dishepujve të vet: