Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 99

99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

Ligji i Përtërirë 9:15-24

15 Kështu u ktheva dhe zbrita nga mali, ndërsa mali digjej nga zjarri; dhe dy pllakat e besëlidhjes ishin në duart e mia.

16 Shikova, dhe ja, ju kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kishit bërë një viç prej metali të shkrirë. Kishit lënë shumë shpejt rrugën që Zoti ju kishte urdhëruar të ndiqnit.

17 Atëherë i kapa dy pllakat, i flaka me duart e mia dhe i copëtova para syve tuaja.

18 Pastaj u shtriva përpara Zotit, si herën e parë, dyzet ditë dhe dyzet net me radhë; nuk hëngra bukë as piva ujë për shkak të mëkateve që kishit kryer, duke bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, për të provokuar zemërimin e tij.

19 Sepse unë kisha frikë nga zemërimi dhe nga tërbimi me të cilët Zoti ishte ndezur kundër jush, aq sa dëshëronte shkatërrimin tuaj. Por Zoti edhe këtë herë më dëgjoi.

20 Dhe Zoti u zemërua shumë gjithashtu kundër Aaronit, aq sa donte ta shkatërronte atë; kështu atë herë unë u luta edhe për Aaronin.

21 Pastaj mora objektin e mëkatit tuaj, viçin që kishit bërë, e dogja në zjarr, e copëtova dhe e thërmova në copa shumë të vogla, deri sa e katandisa në pluhur të hollë, dhe e hodha pluhurin në përruan që zbret nga mali.

22 Edhe në Taberah, në Masa dhe në Kibroth-Atavah ju provokuat zemërimin e Zotit.

23 Kur pastaj Zoti ju nisi jashtë Kadesh-Barneas duke thënë: "Ngjituni dhe shtini në dorë vendin që ju dhashë," ju ngritët krye kundër Zotit, Perëndisë tuaj, nuk i besuat dhe nuk iu bindët zërit të tij.

24 U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur.

Luka 10:21-24

21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.

22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.”