Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.
2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.
3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.
5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.
6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,
7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.
8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.
9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.
10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.
11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.
12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.
13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.
14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.
15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".
17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,
18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,
19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.
20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.
21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.
22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.
5 "Në qoftë se dikush kryen një mëkat, pasi të jetë betuar botërisht se do të dëshmojë, kur ai është dëshmitar, sepse e ka parë faktin ose i është bërë i njohur, po të jetë se nuk e kallëzon, do të mbajë fajin.
2 Ose kur dikush prek diçka të papastër, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, si kërmën e një kafshe të papastër ose kërmën e një kafshe shtëpiake të papastër apo kërmën të një rrëshqanori të papastër, do të mbetet ai vetë i papastër dhe fajtor.
3 Ose kur prek një papastërti njerëzore, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, çfarëdo gjë me anë të të cilit njeriu bëhet i papastër kur e pranon, është fajtor.
4 Ose në se dikush në mënyrë të pandërgjegjshme, duke folur pa u menduar thellë me buzët e tij, betohet se do të bëjë një të mirë apo një të keqe, çfarëdo gjë që një njeri mund të thotë me mëndjelehtësi me një betim, kur e pranon gabimin, është fajtor për secilën nga këto gjëra.
5 Prandaj në se dikush është bërë fajtor në një nga këto gjëra, do të pranojë mëkatin që ka kryer;
6 do t’i çojë pra Zotit, si fli të fajit të tij për mëkatin që ka kryer, një femër të kopesë, një dele apo një dhi, si flijim për mëkatin; dhe prifti do të bëjë për të shlyerjen për shkak të mëkatit të tij.
7 Në qoftë se nuk ka mjetet për të siguruar një dele, do t’i çojë Zotit, si fli për mëkatin e kryer, dy turtuj ose dy pëllumba të rinj: njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust.
8 Do t’ia çojë priftit, i cili do të ofrojë së pari atë të mëkatit; do t’i këpusë kokën pranë qafës, por pa e ndarë plotësisht;
9 pastaj do të spërkasë pak gjak të flijimit për mëkatin mbi faqen e altarit, dhe mbetja e gjakut do të derdhet në bazën e altarit. Ky është një flijim për mëkatin.
10 Me zogun tjetër do të bëjë një olokaust, simbas normave të caktuara. Kështu prifti do të bëjë për atë person shlyerjen e mëkatit që ka kryer, dhe ai do t’i falet.
11 Por në rast se i mungojnë mjetet për të siguruar dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, atëherë kush ka mëkatuar do të sjellë si ofertë të dhjetën pjesë të një efe në majë mielli, si flijim për mëkatin; nuk do të vërë mbi të as vaj as temjan, sepse është një flijim për mëkatin.
12 Do ta çojë miellin te prifti dhe ky do të marrë një grusht prej tij si kujtim, dhe do ta tymosë mbi altarin sipër flijimeve të bëra me zjarr për Zotin. Éshtë një flijim për mëkatin.
13 Kështu prifti do të shlyejë për të mëkatin që ai ka kryer në një nga këto gjëra, dhe ai do t’i jetë falur. Mbetja do t’i takojë priftit, si në blatimin e ushqimit".
17 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!
2 Për të do të ishte më mirë t’i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.
3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.
4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem," fale.”