Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.
2 O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.
3 Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?
4 Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.
5 I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!
6 Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.
7 Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.
18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.
19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.
20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
25 Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.
2 Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
3 Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.
4 Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.
5 Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.
6 Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.
7 Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
8 Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.
9 Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.
10 Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.
11 Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.
12 Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.
13 Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.
14 Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.
15 Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.
16 Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
17 Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.
18 Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.
19 Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
20 Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;
21 dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.
20 Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
21 Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
22 Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,
23 por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij
24 Pastaj do të vijë fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.
25 Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.
26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.
27 Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.
28 Dhe kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
29 Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?
30 Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?
31 Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.
32 Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç’dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.
33 Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.
34 Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.