Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 1

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Jeremia 13:20-27

20 Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?

21 Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?

22 Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.

23 A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?

24 "Prandaj do t’i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.

25 Ky është fati yt, pjesa që mata për ty," thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.

26 Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.

27 Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".

1 Pjetrit 1:17-2:1

17 Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë,

18 duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit,

19 por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë,

20 të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju,

21 që, nëpërmjet tij, të besoni në Perëndinë që e ringjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi, që besimi juaj dhe shpresa të jenë në Perëndinë.

22 Mbasi të pastroni shpirtrat tuaj me bindjen ndaj së vërtetës me anë të Frymës, për të pasur një dashuri vëllazërore pa hipokrizi, të doni fort njeri tjetrin me zemër të pastër,

23 sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë.

24 Sepse çdo mish është si bari dhe çdo lavdi njeriu si lule e barit; bari thahet dhe lulja bie,

25 por fjala e Zotit mbetet përjetë, dhe kjo është fjala që ju është shpallur.

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,