Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.
2 Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".
3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.
4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,
7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.
13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.
14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.
15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.
17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.
18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.
5 Atë ditë Debora këndoi këtë kantik me Barakun, birin e Abinoamit, duke thënë:
2 "Me qenë se krerët kanë marrë komandën në Izrael, me qenë se populli është ofruar spontanisht, bekoni Zotin!
3 Dëgjoni, o mbretër! Vini veshë, o princa! Unë, pikërisht unë, do t’i këndoj Zotit, do të këndoj lavdinë e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
4 O Zot, kur dole nga Seiri, kur po kapërceje fushat e Edomit, toka u drodh dhe pikoi nga qiejtë; po, pikoi ujë nga retë.
5 Malet u shkrinë para Zotit, vetë Sinai u drodh para Zotit, Perëndisë të Izraelit.
6 Në kohën e Shamgarit, birit të Anathit, në kohën e Jaeles rrugët ishin të shkreta, dhe kalimtarët ndiqnin shtigje dredha-dredha.
7 Mungonin krerë në Izrael; po, mungonin, deri sa nuk dola unë, Debora, si nënë në Izrael.
8 Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.
9 Zemra ime është me ata udhëheqës të Izraelit që u ofruan spontanisht në mes të popullit. Bekoni Zotin!
10 Ju që shkoni hipur mbi gomarë të bardha, ju që rrini ulur mbi qilima të shtrenjtë, dhe ju që ecni nëpër rrugë, këndoni!
11 Larg britmave të harkëtarëve, larg koritave, të kremtojnë veprat e drejta të Zotit, veprat e drejta për krerët e tij në Izrael! Atëherë populli i Zotit zbriti në portat.
26 Ç’duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.
27 Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.
28 Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.
29 Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.
30 Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.
31 Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.
32 Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,
33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.
34 Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.
35 Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.
36 Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?
37 Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.
38 Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.
39 Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.
40 Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.