Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
22 Atëherë bijtë e Izraelit, tërë asambleja u nisën nga Kadeshi dhe arritën në malin Hor.
23 Dhe Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit në malin Hor, në kufijtë e vendit të Edomit, duke thënë:
24 "Aaroni po bashkohet me popullin e tij, dhe nuk ka për të hyrë në vendin që u kam dhënë bijve të Izraelit, sepse keni ngritur krye kundër urdhrit tim në ujërat e Meribës.
25 Merr Aaronin dhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoji lart, në malin e Horit.
26 Zhvishe Aaronin nga rrobat e tij dhe vishja të birit, Eleazarit; dhe aty Aaroni do të bashkohet me popullin e tij dhe do të vdesë".
27 Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti; dhe ata hipën mbi malin e Horit para syve të të gjithë asamblesë.
28 Moisiu ia zhveshi rrobat Aaronit dhe ia veshi Eleazarit, birit të tij; dhe Aaroni vdiq aty, në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali.
29 Kur tërë asambleja pa që Aaroni kishte vdekur, e tërë shtëpia e Izraelit e qau Aaronin për tridhjetë ditë.
19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.
20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.
21 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin çuditeshin dhe thoshnin: “Po a nuk është ky ai që në Jeruzalem përndiqte të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë si robër te krerët e priftërinjve?.”
22 Por Sauli bëhej gjithnjë e më i fortë dhe i hutonte Judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.
23 Pas shumë ditësh, Judenjtë u konsultuan bashkë që ta vrasin.
24 Por komploti i tyre u mor vesh nga Sauli. Dhe ditë e natë ata i ruanin portat e qytetit që të mund ta vrisnin;
25 atëherë dishepujt e morën natën dhe e zbritën poshtë nga muri, në një shportë.