Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 71:1-6

71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.

Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.

Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.

Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.

Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.

Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.

2 i Kronikave 35:20-27

20 Mbas gjithë këtyre gjërave, kur Josia e vuri në rregull tempullin, Neko, mbret i Egjiptit, doli në Karkemish mbi Eufrat për të luftuar; dhe Josia u ngrit kundër tij.

21 Por Neko i dërgoi lajmëtarë për t’i thënë: "Çfarë ka midis meje dhe teje, o mbret i Judës? Këtë herë unë nuk kam ardhur kundër teje, por kundër një shtëpie me të cilën ndodhem në luftë; Perëndia më ka urdhëruar të shpejtohem; mos e kundërshto, pra, Perëndinë që është me mua, që ai të mos të të shkatërrojë".

22 Por Josia nuk deshi të tërhiqet nga ai; por për të luftuar kundër tij u vesh me rroba të tjera që të mos njihej dhe nuk i dëgjoi fjalët e Nekos, që vinin nga goja e Perëndisë. Kështu doli të ndeshet në luginën e Megidos.

23 Por disa harkëtarë gjuajtën kundër mbretit Josia; atëherë mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Më largoni që këtej, sepse jam plagosur rëndë".

24 Shërbëtorët e tij e hoqën nga qerrja e tij, e vunë në një qerre të dytë që ai kishte dhe e çuan në Jeruzalem. Kështu ai vdiq dhe u varros në varrezat e etërve të tij. Tërë Juda dhe Jeruzalemi mbajtën zi për Josian.

25 Jeremia kompozoi një vajtim për Josian; tërë këngëtarët dhe këngëtaret në vajtimet e tyre kanë folur për Josian deri në ditën e sotme; dhe këto janë bërë një zakon në Izrael; dhe ja, ata janë shkruar në Vajtimet.

26 Pjesa tjetër e bëmave të Josias, veprat e tij të mira sipas asaj që është shkruar në ligjin e Zotit,

27 veprimet e tij, nga të parat deri në të fundit janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.

Veprat e Apostujve 19:1-10

19 Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:

“A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?.” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.”

Dhe ai u tha atyre: “Me se, pra, u pagëzuat?.” Ata u përgjigjën: “Me pagëzimin e Gjonit.”

Atëherë Pali tha: “Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.

Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.

Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.

Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.

Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.

10 Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.