Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 145

145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

Isaia 54:1-8

54 Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.

Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu,

sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara.

Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh; mos ki turp, sepse nuk do të skuqesh; do të harrosh madje turpin e rinisë sate dhe nuk do ta kujtosh më çnderimin e vejërisë sate.

Sepse krijuesi yt është dhëndri yt; emri i tij është Zoti i ushtrive; Çliruesi yt është i Shenjti i Izraelit, i quajtur Perëndi i tërë tokës.

Sepse Zoti të ka thirrur si një grua të braktisur dhe të pikëlluar në frymën e saj, si nusja e rinisë që është përzënë, thotë Perëndia yt.

Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.

Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.

Romakëve 12:9-21

Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.

10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.

11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,

12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;

13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.

14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.

15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.

16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.

17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.

18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.

19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”

20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”

21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.