Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
43 Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: "Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua.
2 Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.
3 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty.
4 Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate.
5 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t’i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi.
6 Do t’i them veriut: "Ktheji," dhe jugut: "Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës,
7 tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu".
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
14 Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin.
15 Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë,
16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus.
17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë.
15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.
16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.
17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet.”
21 Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap
22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: “Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!.”