Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Danieli 2:1-19

Në vitin e dytë të mbretërimit të Nebukadnetsarit, ai pa disa ëndrra; fryma e tij u turbullua dhe i iku gjumi.

Atëherë mbreti dha urdhër të thërrisnin magjistarët, astrologët, shtriganët dhe Kaldeasit, që t’i tregonin mbretit ëndrrat e tij.

Mbreti u tha atyre: "Pashë një ëndërr dhe fryma ime është turbulluar, deri sa t’ia dal të shpjegoj ëndrrën time".

Atëherë Kaldeasit iu përgjigjën mbretit në gjuhën aramaike: "O mbret, jetofsh përjetë. Trego ëndrrën tënde shërbëtorëve të tu dhe ne do ta interpretojmë".

Mbreti u përgjigj dhe u tha Kaldeasve: "Vendimin tim e kam marrë: po të mos ma bëni të njohur përmbajtjen e ëndrrës sime dhe interpretimin e saj, do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të katandisen në plehërishte.

Por në rast se do të më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime dhe nderime të mëdha; më tregoni, pra, ëndrrën dhe interpretimin e saj".

Ata u përgjigjën për së dyti dhe thanë: "Le t’u tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të vet dhe ne do t’i japim interpretimin".

Atëherë mbreti u përgjigj dhe tha: "E kuptoj fare mirë që ju doni të fitoni kohë, sepse e shihni që vendimi im është marrë;

po të mos ma bëni të njohur ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju; jeni marrë vesh midis jush për të thënë para meje fjalë të rreme dhe të çoroditura, me shpresë që kohërat të ndryshojnë. Prandaj ma tregoni ëndrrën dhe unë do të di në se jeni në gjendje të më jepni edhe interpretimin".

10 Kaldeasit u përgjigjën para mbretit dhe thanë: "Nuk ka njeri mbi tokë që mund të dijë atë që mbreti kërkon. Në fakt asnjë mbret, sundimtar o sovran nuk i ka kërkuar një gjë të tillë ndonjë magjistari, astrologu ose Kaldeasi.

11 Gjëja që pyet mbreti është tepër e vështirë dhe nuk ka njeri që mund t’ia bëjë të ditur mbretit, përveç perëndive, banesa e të cilëve nuk është ndër të gjallët".

12 Me këtë mbreti u zemërua, i hipi inati dhe urdhëroi që të shfaroseshin tërë të diturit e Babilonisë.

13 Kështu u shpall dekreti në bazë të të cilit duhet të vriteshin të diturit, dhe kërkonin Danielin dhe shokët e tij për t’i vrarë edhe ata.

14 Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta dhe të matura Ariokut, komandant i rojeve të mbretit, i cili kishte dalë për të vrarë të diturit e Babilonisë.

15 Mori fjalën dhe i tha Ariokut, komandantit të mbretit: "Pse vallë një dekret kaq i ashpër nga ana e mbretit?" Atëherë Arioku e vuri në dijeni Danielin.

16 Kështu Danieli hyri te mbreti dhe i kërkoi t’i jepte kohë për t’i bërë të njohur mbretit interpretimin e ëndrrës.

17 Atëherë Danieli shkoi në shtëpinë e vet dhe ua bëri të ditur këtë gjë shokëve të tij Hananiah, Mishael dhe Azaria,

18 me qëllim që t’i kërkonin mëshirë Perëndisë të qiellit lidhur me këtë sekret, me qëllim që Danieli dhe shokët e tij të mos vriteshin bashkë me kusurin e njerëzve të ditur të Babilonisë.

19 Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.

Efesianëve 4:17-5:1

17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,

18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.

19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.

20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,

21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,

22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,

23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj

24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.

25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.

26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;

27 dhe mos i jepni vend djallit.

28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.

29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.

30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.

31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.

32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.

Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,