Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
7 Sepse kështu thotë Zoti: "Ngrini këngë gëzimi për Jakobin dhe lëshoni britma për të parin e kombeve; shpallni, këndoni lëvdata dhe thoni: O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti nga Izraeli.
8 Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës. Midis tyre është i verbëri dhe çalamani, gruaja me barrë dhe bashkë me të ajo që ka për të pjellë: një turmë e madhe do të kthehet këtu.
9 Do të vinë duke qarë, do t’i çoj duke u lutur. Do t’i bëj të ecin gjatë rrjedhave ujore, nëpër një rrugë të drejtë në të cilën nuk do të pengohen, sepse jam një atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im.
10 O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij.
11 Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai.
12 Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më.
13 Atëherë virgjëresha do të gëzohet në valle dhe të rinjtë bashkë me pleqtë, sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t’i ngushëlloj dhe do t’i gëzoj mbas dhembjes së tyre.
14 Do të ngop shpirtin e priftërinjve me të madhe dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia," thotë Zoti.
1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”
16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.