Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 11:1-9

11 Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.

Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe e zgjuarësisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës të Zotit.

I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti, nuk do të gjykojë nga pamja, nuk do të japë vendime sipas fjalëve që thuhen,

por do t’i gjykojë të varfërit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.

Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij.

Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.

Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.

Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.

Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.

Numrat 16:20-35

20 Atëherë Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

21 "Ndahuni nga kjo asamble dhe unë do t’i zhduk në një çast".

22 Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë dhe thanë: "O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Sepse një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?".

23 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

24 "Foli asamblesë dhe u thuaj: "Largohuni nga afërsia e banesës së Koreut, të Dathanit dhe të Abiramit"".

25 Pastaj Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani dhe Abirami; atë e ndoqën pleqtë e Izraelit.

26 Pas kësaj i foli asamblesë duke thënë: "Largohuni nga çadrat e këtyre njerëzve të këqij, dhe mos prekni asgjë që u përket atyre që të mos treteni në të gjitha mëkatet e tyre".

27 Kështu ata u larguan nga afërsia e banesës së Koreut, të Datanit dhe të Abiramit. Datani dhe Abirami dolën dhe u ndalën në hyrje të çadrave të tyre bashkë me gratë e tyre, me bijtë e tyre dhe me të vegjëlit e tyre.

28 Atëherë Moisiu tha: "Nga kjo do të mësoni që Zoti më ka dërguar për të bërë tërë këto vepra dhe se nuk kam vepruar me kokën time.

29 Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar;

30 por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë, dhe ata zbresin të gjallë në Sheol, atëherë do të pranoni që këta njerëz kanë përçmuar Zotin.

31 Por ndodhi që, posa mbaroi shqiptimi i këtyre fjalëve, dheu u ça poshtë tyre,

32 toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me të gjithë njerëzit që mbanin anën e Koreut, me të gjitha pasuritë e tyre.

33 Kështu zbritën të gjallë në Sheol; toka u mbyll mbi ta dhe ata u zhdukën nga asambleja.

34 Tërë Izraeli që ndodhej rreth tyre, duke dëgjuar britmat e tyre ua mbathi këmbëve, sepse thoshte: "Të mos na gëlltisë toka edhe ne!".

35 Dhe një zjarr doli nga prania e Zotit dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë veta që ofronin temjanin.

Veprat e Apostujve 28:23-31

23 Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

24 Disa bindeshin nga ato që u thoshte, por të tjerë nuk besonin.

25 Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: “Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë,

26 duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni;

27 në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.

28 Ta dini, pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua johebrenjve, dhe ata do ta dëgjojnë!.”

29 Dhe si i tha këto fjalë, Judenjve ikën duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.

30 Dhe Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai,

31 duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim.