Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
2 Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".
3 Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.
4 Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.
5 Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.
6 Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".
8 Ja sytë e Zotit, Zotit, janë mbi mbretërinë mëkatare; unë do ta shfaros nga faqja e dheut, por nuk do ta shfaros krejt shtëpinë e Jakobit," thotë Zoti.
9 "Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.
10 Tërë mëkatarët e popullit tim do të vdesin nga shpata, ata që thonë: Gjëma nuk do të afrohet as ka për të arritur deri te nee"".
11 "Atë ditë do të ngre përsëri tabernakullin e Davidit që ka rënë, do të ndreq të çarat e tij dhe do të ngre rrënojat e tij, dhe do ta rindërtoj si në ditët e lashta,
12 më qëllim që të zotërojnë kusurin e Edomit dhe tërë kombet ku i bëjnë thirrje emrit tim," thotë Zoti që do ta bëjë këtë.
13 "Ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "kur ai që lëron do t’i afrohet atij që korr dhe ai që shtrydh rrushin atij që hedh farën; atëherë malet do të kullojnë musht, që do të rrjedhë poshtë nëpër kodra.
14 Do ta kthej nga robëria popullin tim të Izraelit, dhe ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të pijnë verën e tyre, do të punojnë kopshtet dhe do të hanë frytet e tyre.
15 Unë do t’i mbjell në tokën e tyre dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre, thotë Zoti, Perëndia yt".
57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.
58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.
59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;
60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”
61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”
62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.
63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.
64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.
66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.