Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
3 "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë," thotë Zoti i ushtrive.
2 "Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.
3 Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t’i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.
4 Atëherë oferta e Judës dhe e Jeruzalemit do të pëlqehet nga Zoti, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme.
68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”
3 E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj,
4 duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj,
5 për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani,
6 duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.
7 Dhe është e drejtë që unë të ndjej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjestarë me mua të hirit.
8 Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht.
9 Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim,
10 që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,
11 të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.
3 Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,
2 nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.
3 Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,
4 ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!
5 Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen
6 dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë.”