Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,
2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:
3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;
4 nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,
5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.
8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.
12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".
13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:
14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.
15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;
16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.
17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.
18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
11 Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.
12 Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:
13 "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".
14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.
15 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:
16 "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,
17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet".
18 Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u konsultuar me Zotin, do t’i thoni kështu: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,
19 sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova," tha Zoti.
20 "Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi"". Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.
20 Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
21 Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
22 Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,
23 por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij
24 Pastaj do të vijë fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.
25 Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.
26 Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.
27 Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.
28 Dhe kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.