Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
2 Atëherë Ana u lut dhe tha: "Zemra ime ngazëllohet në Zotin, forca ime ngrihet tek i Zoti; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt.
2 Nuk ka asnjë të shenjtë si Zoti, sepse nuk ka asnjë tjetër vëç teje, nuk ka asnjë shkëmb si Perëndia ynë.
3 Mos vazhdoni të flisni me aq mburrje; të mos dalin fjalë arrogante nga goja juaj, sepse Zoti është Perëndia i njohjes dhe ai i peshon veprimet.
4 Dhe harqet e të fuqishmëve thyhen, ndërsa të dobëtit janë pajisur me forcë.
5 Ata që ishin të ngopur shkojnë si punëtorë ditorë për një copë bukë, ndërsa ata që ishin të uritur nuk vuajnë më nga uria. Madje edhe ajo që ishte shterpë, ka pjellë shtatë herë, ndërsa ajo që ka shumë fëmijë është dobësuar.
6 Zoti të bën të vdesësh dhe të bën të jetosh; të zbret në Sheol dhe të ngjit që andej.
7 Zoti të varfëron dhe të pasuron, ai të poshtëron dhe ai të lartëson.
8 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe e heq të varfërin nga plehrat, në mënyrë që të ulet me princat dhe të trashëgojnë një fron lavdie; sepse shtyllat e dheut i përkasin Zotit, dhe mbi to ai ka mbështetur botën.
9 Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e tij, por të pafetë do të vdesin në errësirë, sepse njeriu nuk do të mbizotërojë me anë të forcës.
10 Kundërshtarët e Zotit do të copëtohen; ai do të gjëmojë kundër tyre nga qielli. Zoti do të gjykojë popujt deri në skajet e tokës, do t’i japë forcë mbretit të tij dhe do ta lartojë forcën e të vajosurit të tij".
18 Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri.
19 E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor.
20 Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre.
21 Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit.
6 Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,
7 duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.
8 Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,
9 sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.
10 Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti,
11 në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit:
12 të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.
13 Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.
14 Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq;
15 dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të.