Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
1 Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, vendin e pllakosi zia, dhe një njeri nga Betlemi i Judës shkoi të banojë në vendin e Moabit me gjithë gruan dhe dy bijtë e tij.
2 Emri i burrit ishte Elimelek, emri i gruas së tij Naomi dhe emri i dy bijve të tij Mahlon dhe Kilion, Efratej nga Betlemi i Judës. Ata shkuan në vendin e Moabit dhe u vendosën aty.
3 Pastaj Elimeku, burri i Naomit, vdiq dhe ajo mbeti me dy bijtë e saj.
4 Këta u martuan me gra moabite, nga të cilat njëra quhej Orpah dhe tjetra Ruth; dhe banuan aty rreth dhjetë vjet.
5 Pastaj edhe Mahloni dhe Kilioni vdiqën që të dy, dhe kështu ajo grua mbeti pa dy djemtë e saj dhe pa burrin.
6 Atëherë u ngrit me gjithë nuset e saj për t’u kthyer nga vendi Moabit, sepse kishte dëgjuar të thuhej që Zoti e kishte vizituar popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë.
7 Ajo u nis, pra, me të dy nuset e saj nga vendi në të cilin rrinte, dhe filloi të ecë për t’u kthyer në vendin e Judës.
8 Por Naomi u tha dy nuseve të saj: "Shkoni, kthehuni çdo njëra në shtëpinë e nënes së saj; Zoti qoftë i mirë me ju, ashtu si ju keni qenë të mira me ata që kanë vdekur dhe me mua!
9 Zoti ju bëftë të gjeni qetësi çdo njëra në shtëpinë e burrit të sajë!". Pastaj ajo i puthi dhe ato filluan të qajnë me zë të lartë,
10 dhe i thanë: "Jo, ne do të kthehemi me ty pranë popullit tënd".
11 Por Naomi u përgjegj: "Kthehuni bijat e mija! Pse të vini me mua? Mos kam në barkun tim fëmijë që mund të bëhen bashkëshortët tuaj?
12 Kthehuni mbrapa, bijat e mija, shkoni, sepse unë jam shumë e vjetër për t’u martuar prapë; edhe sikur të thoja: "Kam akoma shpresë"; edhe sikur të martohesha sonte dhe të lindja djem,
13 a do të prisnit ju sa të rriteshin? A do të hiqnit dorë nga martesa për këtë shkak? Jo, bijat e mija, sepse kushtet në të cilat ndodhem janë më të hidhura nga tuajat, sepse dora e Zotit është shtrirë kundër meje".
14 Atëherë ato e ngritën zërin dhe qanë përsëri; pastaj Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj.
15 Atëherë Naomi i tha Ruthit: "Ja, kunata jote u kthye te populli i vet dhe te perënditë e saj; ktheu mbrapa edhe ti, ashtu si kunata jote!".
16 Por Ruthi u përgjegj: "Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im;
17 aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë, dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje!".
18 Kur Naomi e kuptoi që Ruthi ishte e vendosur ta ndiqte, nuk i foli më.
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
11 Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese,
12 hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar.
13 Sepse, në qoftë se gjaku i demave dhe i cjepve dhe hiri i një mëshqerre i spërkatur mbi të ndoturit, i shenjtëron, duke i pastruar në mish,
14 aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë!
28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”
29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"
30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.
31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”
32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;
33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”
34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.