Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 28

28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

Isaia 59:9-19

Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.

10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.

11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.

12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:

13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.

14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.

15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.

16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,

17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.

18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.

19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.

1 Pjetrit 2:1-10

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,

posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,

nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.

Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,

edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.

Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”

Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”

Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;

10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.