Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
40 Zoti vazhdoi t’i përgjigjet Jobit dhe tha:
2 "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje".
3 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:
4 "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.
5 Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".
6 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
7 "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
8 A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
9 A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
15 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.
16 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.
17 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.
18 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.
19 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t’i afrohet atij me shpatën e tij.
20 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,
21 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.
22 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.
23 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.
24 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t’i shpojë flegrat e hundës me gremça?
6 Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,
2 nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;
3 dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.
4 Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,
5 dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,
6 dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.
7 Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;
8 kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t’u djegur.
9 Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;
10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.
11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,
12 që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.