Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 104:1-9

104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

Psalmet 104:24

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

Psalmet 104:35

35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

Jobi 39

39 A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?

A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?

Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.

Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.

Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,

të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?

Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.

Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.

Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?

10 A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?

11 A do t’i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t’ia lësh atij punën tënde?

12 A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?

13 Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut.

14 Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur.

15 duke harruar që një këmbë mund t’i shtypë ose një kafshë e fushave mund t’i shkelë.

16 I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë,

17 sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi.

18 Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij.

19 A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten?

20 A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr.

21 Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë.

22 Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës.

23 Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta.

24 Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria.

25 Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës.

26 Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut?

27 Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?

28 Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta.

29 Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg.

30 Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

Luka 22:24-30

24 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.

25 Por Jezusi u tha atyre: “Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.

26 Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.

27 Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.

28 Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.

29 Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,

30 që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.