Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 104:1-9

104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

Psalmet 104:24

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

Psalmet 104:35

35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

Jobi 37

37 Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.

Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!

Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.

Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.

Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t’i kuptojmë.

I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë," ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.

Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.

Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.

Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.

10 Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.

11 I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.

12 Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.

13 I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.

14 Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!

15 A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?

16 A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?

17 A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?

18 Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?

19 Na mëso se çfarë duhet t’i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.

20 A mund t’i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.

21 Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.

22 Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.

23 Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.

24 Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".

Zbulesa 17

17 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,

më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”

Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.

Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.

Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: “Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut.”

Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.

Dhe engjëlli më tha: “Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.

Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.

Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,

10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.

11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.

12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.

13 Këta kanë një qëllim, dhe do t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.

14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”

15 Pastaj më tha: “Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë.

16 Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.

17 Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t’i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë.

18 Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut.”