Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55:1-15

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

Jobi 15

15 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

"Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore?

Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë?

Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë.

Sepse prapësia jote t’i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve.

Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje.

A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave?

A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë?

Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne?

10 Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt.

11 Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty?

12 Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë,

13 duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?".

14 "Ç’është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë?

15 Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij;

16 aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!

17 Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë,

18 atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre,

19 të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre.

20 I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara.

21 Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi.

22 Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret.

23 Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij.

24 Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë,

25 sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin,

26 duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza.

27 Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt;

28 ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash.

29 Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë.

30 Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij.

31 Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij.

32 Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më.

33 Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja.

34 Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar.

35 Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi.

Mateu 5:27-36

27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".

28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.

29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;

30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.

31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes".

32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.

33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".

34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,

35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.

36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;