Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
8 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:
2 "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme?
3 A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë?
4 Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre.
5 Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit,
6 në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate.
7 Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël,
8 e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre;
9 ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije.
10 A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre?
11 A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?
12 Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër.
13 Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet.
14 Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange.
15 Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban.
16 Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij;
17 dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë.
18 Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!".
19 Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri.
20 Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit.
21 Ai do t’i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua.
22 Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket".
7 Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.
2 Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.
3 Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.
4 Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.
5 Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t’i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.
6 Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,
7 sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.
8 Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,
9 por në qoftë se s’kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.