Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.
2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.
5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.
6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.
4 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
2 "A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t’i ndalë fjalët?
3 Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;
4 fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.
5 Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.
6 Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?
7 Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?
8 Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.
9 Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.
10 Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.
11 Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.
12 Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.
13 Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,
14 më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.
15 Një frymë më kaloi përpara, dhe m’u ngritën përpjetë qimet e trupit.
16 Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:
17 "A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?
18 Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;
19 aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.
20 Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.
21 Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri"".
8 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.
6 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.
7 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.
9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.
10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11 Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.