Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
1 Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.
2 Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
3 Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.
4 Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.
5 Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.
6 Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.
7 Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?
8 Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.
9 Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.
10 Faqet e tua janë të bukura me ornamente, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh.
11 Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi.
12 Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj.
13 Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia.
14 Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit.
15 Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.
16 Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.
17 Trarët e shtëpive tona janë prej kedri dhe tavanet tona prej qiparisi.
1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!
2 Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,
3 duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.
4 Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.
5 Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
6 Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.
7 Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,
8 sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.