Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 11

11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?

Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

1 i Mbretërve 6:15-38

15 Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të kedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.

16 Veshi gjithashtu me dërrasa kedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.

17 Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.

18 Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej kedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej kedri dhe nuk dukej asnjë gur.

19 Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.

20 Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me kedër.

21 Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhira ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.

22 Veshi me ar tërë tempullin deri sa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.

23 Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.

24 Krahu i një kerubini ishte pesë kubitë dhe tjetri ishte gjithashtu pesë kubitë; kishte, pra, dhjetë kubitë nga maja e një krahu deri te maja e tjetrit.

25 Edhe kerubini tjetër ishte dhjetë kubitësh; të dy kerubinët kishin po ato përmasa dhe po atë formë.

26 Lartësia e një kerubini ishte dhjetë kubitë po kështu edhe ajo e kerubinit tjetër.

27 Salomoni i vendosi kerubinët në mes të vendit shumë të shenjtë. kerubinët i kishin krahët të hapur; krahu i të parit prekte njërin mur ndarës dhe krahu i të dytit prekte murin tjetër; krahët e tyre të brendshme takoheshin në mes të shtëpisë.

28 Pastaj i veshi me ar kerubinët.

29 Pastaj riprodhoi mbi të gjitha muret ndarës të trempullit, rreth e qark, figura në reliev kerubinësh, palma dhe lule të çelura, si brenda ashtu dhe jashtë.

30 Pastaj veshi me ar dyshemenë e tempullit, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.

31 Për të hyrë në vendin tepër të shenjtë bëri një portë me dy kanate me dru ulliri; arkitravi dhe shtalkat zinin një të katërtën e murit.

32 Të dy kanatet ishin me dru ulliri. Mbi to gdhendi figura kerubinësh, palma dhe lulesh të çelura, i veshi me ar duke e shtrirë arin mbi kerubinët dhe mbi palmash.

33 Për portën e tempullit bëri gjithashtu shtalka me dru ulliri, që zinin një të katërtën e gjerësisë së murit,

34 dhe dy kanate me dru qiparisi; çdo kanat përbëhej nga dy pjesë që hapeshin dhe mbylleshin.

35 Mbi to gdhendi kerubinë, palma dhe lule të çelura dhe i veshi me ar, që e shtriu me saktësi mbi skulpturat.

36 Pastaj ndërtoi oborrin e brendshëm me tri radhë gurësh katërkëndësh dhe një radhë trarësh kedri.

37 Vitin e katërt, në muajin e Zivit, u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit;

38 vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e Bulit, që është muaji i tetë, tempulli u mbarua në të gjitha pjesët e tij, sipas vizatimeve të dhëna. Kështu Salomonit iu deshën shtatë vjet për ta ndërtuar.

Gjoni 15:16-25

16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.

17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.

19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.

20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.

21 Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.

22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.

23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.

25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".