Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
8 Atëherë Salomoni mblodhi në prani të tij në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe tërë krerët e fiseve, prijësit e familjeve të Izraelit, për të çuar arkën e besëlidhjes të Zotit në qytetin e Davidit, domethënë në Sion.
6 Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.
10 Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit,
11 dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse ladvia e Zotit mbushte shtëpinë e tij.
22 Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit
23 dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.
24 Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.
25 Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit, nëqoftëse bijtë e tu të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".
26 Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!
27 Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!
28 Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.
29 Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im," për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend.
30 Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.
41 Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd të Izraelit, kur të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd,
42 (sepse do të dëgjohet të flitet për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fuqishme dhe për krahun tënd të shtrirë) kur të vijë të të lutet duke t’u drejtuar nga ky tempull,
43 ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd dhe kështu të kenë frikë prej teje, ashtu siç bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmëndet në këtë tempull që kam ndërtuar.
84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!
2 Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.
3 Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)
5 Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!
6 Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
7 Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!
10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.
11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,
12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.
13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.
14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,
15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,
16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.
17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,
18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,
19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,
20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.
56 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.
57 Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.
58 Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë.”
59 Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.
60 Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?.”
61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: “Kjo ju skandalizon?
62 Ç’do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?
63 Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.
64 Por janë disa midis jush që nuk besojnë”; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;
65 dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im.”
66 Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.
67 Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?.”
68 Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
69 Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”