Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 111

111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

1 i Mbretërve 1:28-48

28 Mbreti David, duke u përgjigjur, tha: "Thirrmëni Bath-Shebën". Ajo hyri te mbreti dhe qëndroi më këmbë para tij.

29 Mbreti u betua dhe tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili ka liruar jetën time nga çdo fatkeqësi,

30 unë do të bëj sot pikërisht atë që të jam betuar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, duke thënë: "Biri yt Salomon ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim në vendin tim"".

31 Bath-Sheba u përul me fytyrën për tokë, ra përmbys para mbretit dhe tha: O Zot, bëj që mbreti David të jetojë përjetë!!".

32 Pastaj mbreti David tha: "Thirrmëni priftin Tsadok, profetin Nathan dhe Benajahun, birin e Jehojadit". Ata erdhën në prani të mbretit.

33 Mbreti u tha atyre: "Merrni me vete shërbëtorët e zotit tuaj, e hipeni birin tim Salomon mbi mushkën time dhe e zbrisni në Gihon.

34 Atje prifti Tsadok dhe profeti Nathan ta vajosin mbret të Izraelit. Pastaj i bini borisë dhe thoni: "Rroftë mbreti Salomon!".

35 Do të shkoni, pra, pas tij dhe ai do të vijë të ulet mbi fronin tim dhe do të mbretërojë në vendin tim, sepse e kam bërë princ të Izraelit dhe të Judës".

36 Benajahu, bir i Jehojadit, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Amen! Kjo është edhe dëshira e Zotit, Perëndisë së mbretit zotit tim!

37 Ashtu si ka qenë Zoti me mbretin, zotin tim, kështu qoftë me Salomonin dhe e bëftë fronin tim më të madh se froni i mbretit David, i zotit tim!".

38 Atëherë prifti Tsadok, profeti Nathan, Benajahu, bir i Jehojadit, Kerethejtë dhe Pelethejtë, dolën e hipën Salomonin mbi mushkën e mbretit David dhe e çuan në Gihon.

39 Prifti Tsadok mori bririn e vajit nga tabernakulli dhe vajosi Salomonin. Pastaj i ranë borisë dhe tërë populli tha: "Rroftë mbreti Salomon!".

40 Pastaj tërë populli shkoi pas tij, duke u rënë fyejve dhe duke ndjerë një gëzim të madh aq sa toka dukej se po çohej nga brohoritjet e tyre.

41 Adonijahu dhe tërë të ftuarit e tij, ndërsa po mbaronin së ngrëni, dëgjuan zhurmë; dhe kur Joabi dëgjoi zërin e borisë, ai tha: "Ç’është kjo zhurmë e madhe që vjen nga qyteti?".

42 Ndërsa vazhdonte të fliste, ja që arriti Jonathani, bir i priftit Abiathar. Adonijahu i tha: "Hyr, ti je një trim dhe me siguri sjell lajme të mira".

43 Jonathani iu përgjigj Adonijahut dhe tha: "Aspak! Mbret Davidi, zoti ynë, bëri mbret Salomonin.

44 Ai nisi me të priftin Tsadok, profetin Nathan, Benajahun, birin e Jehojadës, Kerethejtë dhe Pelethejtë, që e hipën mbi mushkën e mbretit.

45 Kështu prifti Tsadok dhe profeti Nathan e vajosën mbret në Gibon, dhe që andej janë nisur të gjithë tërë gëzim dhe tërë qyteti po zien. Kjo është zhurma që keni dëgjuar.

46 Përveç kësaj Salomoni është ulur në fronin e mbetërisë.

47 Dhe shërbëtorët e mbretit kanë vajtur të urojnë mbretin David, zotërinë tonë, duke thënë: "Perëndia yt e bëftë emrin e Salomonit më të lavdishëm se yti dhe e bëftë fronin e tij më të madh se yti!". Pastaj mbreti ra përmbys mbi shtrat,

48 dhe tha gjithashtu: "Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot uli një njeri mbi fronin tim, duke u lejuar syve të mi ta shikojnë"".

Romakëve 16:17-20

17 Tani unë ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe skandale kundër doktrinës që keni mësuar dhe të largoheni nga ata;

18 sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?.

19 Sepse të bindurit tuaj arriti kudo; prandaj unë gëzohem për ju; dhe dëshiroj që të jeni të mëncur për të mirën dhe të thjesht për të keqen.

20 Tani Perëndia e paqes do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju.