Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 14

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

2 i Samuelit 10:13-19

13 Pastaj Joabi me gjithë njerëzit e tij ecën përpara për të luftuar kundër Sirëve; por këta ikën para tij.

14 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, ua mbathën edhe ata para Abishait dhe hynë përsëri në qytet. Atëherë Joabi u kthye nga ekspedita kundër bijve të Amonit dhe erdhi në Jeruzalem.

15 Kur Sirët panë që ishin mundur nga Izraeli, u mblodhën të tërë.

16 Hadadezeri dërgoi lajmëtarë për të sjellë Sirët që ishin matanë Lumit. Ata arritën në Helam, me komandantin e ushtrisë të Hadedezerit, Shobakun, në krye.

17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin dhe arriti në Helam. Sirët u radhitën kundër Davidit dhe nisën betejën.

18 Por Sirët ua mbathën përpara Izraelit; dhe Davidi vrau nga Sirët njerëzit e shtatëqind qerreve dhe dyzet mijë kalorës, goditi Shobakun, komandantin e ushtrisë së tyre, i cili vdiq në atë vend.

19 Kur tërë mbretërit vasalë të Hadadezerit e panë që ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët patën frikë të ndihmonin akoma bijtë e Amonit.

Gjoni 4:31-38

31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: “Mësues, ha.”

32 Por ai u tha atyre: “Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.”

33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: “Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?.”

34 Jezusi u tha atyre: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre.”