Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
20 Davidi iku nga Najothi i Ramahut, shkoi te Jonathani dhe i tha: "Çfarë kam bërë? Cili është faji im dhe cili është mëkati im kundër atit tënd, që ai kërkon jetën time?".
2 Jonathani iu përgjegj: "Mos ndodhtë kurrë! Ti nuk ke për të vdekur; ja im atë nuk bën asnjë veprim të madh apo të vogël pa ma njoftuar mua. Pse im atë të ma fshihte këtë gjë? Nuk është e mundur".
3 Davidi u betua përsëri dhe tha: "Yt atë e di me siguri që unë gëzoj hirin tënd dhe do të ketë thënë: "Jonathani të mos e dijë këtë, që të mos hidhërohet". Por siç është e vërtetë që Zoti jeton, dhe që rron shpirti yt, mua nuk më ndan nga vdekja veçse një hap".
4 Jonathani i tha Davidit: "Çfarëdo gjë që të më kërkosh, unë do ta bëj për ty".
5 Davidi iu përgjegj Jonathanit: "Ja, nesër fillon hëna e re dhe unë duhet të ulem në tryezë me mbretin, por të më lër të shkoj dhe unë do të fshihem në fshatrat deri në mbrëmjen e ditë së tretë.
6 Në qoftë se atit tënd i bie në sy mungesa ime, ti do t’i thuash: "Davidi më është lutur me insistim të hidhet për pak kohë deri në Betlem, në qytetin e tij, sepse aty kremtohet flijimi për tërë familjen e tij".
7 Në qoftë se thotë: "Mirë," shërbëtori yt ka për të shpëtuar. Por në rast se zemërohet, dije se ka vendosur të ma bëjë të keqen.
8 Tregohu, pra, i mëshirshëm me shërbëtorin tënd, sepse e ke bërë të lidhet në një besëlidhje të Zotit me ty; por në rast se kam ndonjë faj, vritmë ti. Pse duhet të më çosh tek ati yt?".
9 Jonathani tha "Larg qoftë ky mendim! Po ta dija që im atë ka vendosur të ta bëjë të keqen, nuk do të ta tregoja ty?".
10 Davidi i tha Jonathanit: "Kush do të më njoftojë në se yt atë të përgjigjet rëndë?".
11 Jonathani i tha Davidit: "Eja, të dalim ndër fusha!". Kështu që të dy dolën jashtë, në fushë.
12 Atëherë Jonathani i tha Davidit: "Paça dëshmitar Zotin, Perëndinë e Izraelit! Nesër ose pasnesër, në këtë orë, do të hetoj qëllimet e atit tim, për të parë në se ai e shikon me sy të mirë Davidin, dhe po të mos dërgoj njeri të të njoftojë,
13 Zoti le t’i bëjë këtë gjë Jonathanit, madje edhe më keq. Në qoftë se përkundrazi im atë ka ndërmend të të bëjë një të keqe, unë do të të njoftoj dhe do të lë të shkosh me qëllim që ti të shkosh në paqe; dhe Zoti qoftë me ty, ashtu siç ka qenë me atin tim!
14 Deri sa të jem gjallë, a nuk do të përdorësh ndaj meje mirësinë e Zotit, me qëllim që mos vritem?".
15 Por nuk do të heqësh dorë kurrë të përdorësh mirësinë ndaj shtëpisë sime, as atëherë kur Zoti të ketë shfarosur nga faqja e dheut tërë armiqtë e Davidit".
16 Kështu Jonathani lidhi një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: "Zoti t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit për gjakun!".
17 Për hir të dashurisë që kishte për të, Jonathani e vuri përsëri Davidin të betohet, sepse ai e donte si shpirtin e vet.
18 Pastaj Jonathani i tha: "Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh.
19 Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit.
20 Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë.
21 Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: "Shko të kërkosh shtigjeta". Në rast se i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!" atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik.
22 Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: "Shiko, shigjetat janë matanë teje," atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh.
23 Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë".
24 Kështu Davidi u fsheh nëpër ara; kur filloi hëna e re, mbreti u ul për të ngrënë.
25 Mbreti u ul në karrigen e tij, si herët e tjera, në karrigen pranë murit; Jonathani u ul përballë tij. Abneri u ul pranë Saulit, por vendi i Davidit mbeti bosh.
8 Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë,
2 se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre.
3 Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre,
4 dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët.
5 Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.
6 Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë.
7 Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit.