Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.
2 Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.
3 Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.
4 Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.
5 Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,
6 me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.
7 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
8 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;
9 Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".
10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?
12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.
13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.
3 Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe i shërbeni vetëm atij, atëherë ai do t’ju çlirojë nga duart e Filistejve".
4 Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit.
5 Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t’i lutem Zotit për ju".
6 Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah.
7 Kur Filistejtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e Filistejve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga Filistejtë.
8 Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e Filistejve".
9 Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si olokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën.
10 Ndërsa Samueli ofronte olokaustin, Filistejtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër Filistejve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit.
11 Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën Filistejtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit.
12 Atherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar".
13 Kështu Filistejtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër Filistejve gjatë gjithë kohës së Samuelit.
14 Edhe qytetet që Filistejtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e Filistejve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe Amorejve.
15 Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij.
20 Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë.
2 Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,
3 dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet; dhe pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë.
4 Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.
5 Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë.
6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.