Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
4 Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,
5 dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".
6 Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.
7 Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.
8 Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera.
9 Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".
10 Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.
11 Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;
12 për t’i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t’i vënë ata t’i lërojnë arat, t’i korrin të lashtat, t’i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.
13 Do të marrë bijat tuaja për t’i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.
14 Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
15 Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t’i përdorur në punimet e tij.
17 Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.
18 Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet".
19 Me gjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: Jo, do të kemi një mbret mbi ne..
20 Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".
14 Pastaj Samueli i tha popullit: "Ejani, shkojmë në Gilgal dhe aty ta përtërijmë mbretërinë".
15 Kështu tërë populli shkoi në Gilgal dhe aty përpara Zotit në Gilgal e caktuan Saulin mbret. Aty përpara Zotit ofruan flijime falenderimi; dhe po aty Sauli dhe tërë njerëzit e Izraelit u gëzuan shumë.
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
13 Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola,” edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
14 duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.
15 Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.
16 Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.
17 Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;
18 ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.
5 Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.
20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s’mund të hanin.
21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete.”
22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: “Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve.”
23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: “Si mund Satanai të dëbojë Satananë?
24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!
27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t’ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.
28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t’u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;
29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm.”
30 Sepse ata thoshnin: “Ai ka një frymë të ndyrë!.”
31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.
32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë.”
33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?.”
34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!.”