Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
28 Por Jakobi dërgoi para tij Judën me qëllim që ta fuste në vendin e Goshenit. Dhe kështu ata arritën në vendin e Goshenit.
29 Atëherë Jozefi e mbrehu qerren e tij dhe mori të përpjetën për në Goshen që të takonte Izraelin, atin e tij; sa e pa, iu hodh në qafë dhe qau gjatë i shtrënguar pas tij.
30 Dhe Izraeli i tha Jozefit: "Tani le të vdes, sepse pashë fytyrën tënde dhe ti je akoma gjallë".
31 Atëherë Jozefi u tha vëllezërve të tij dhe familjes të atit të tij: "Do të ngjitem për ta njoftuar Faraonin dhe do t’i them: "Vëllezërit e mi dhe familja e atit tim, që ishin në vendin e Kanaanit, kanë ardhur tek unë.
32 Ata janë barinj, sepse kanë qenë gjithnjë rritës bagëtish, dhe kanë sjellë me vete kopetë e tyre dhe gjithçka zotërojnë".
33 Kur Faraoni do t’ju thërrasë dhe do t’ju thotë: "Me ç’punë merreni?," ju do t’i përgjigjeni:
34 "Shërbëtorët e tu kanë qënë rritës bagëtish nga fëmijëria e deri sot, si ne ashtu dhe etërit tanë," që të keni mundësi të banoni në vendin e Goshenit. Sepse Egjiptasit ndiejnë neveri për tërë barinjtë".
47 Jozefi shkoi, pra, të njoftojë Faraonin dhe i tha: "Ati im dhe vëllezërit e mi, me gjithë kopetë e tyre, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe me gjithçka kanë, kanë ardhur nga vendi i Kanaanit; dhe ja, tani ndodhen në vendin e Goshenit".
2 Pastaj mori pesë nga vëllezërit e tij dhe ia paraqiti Faraonit.
3 Atëherë Faraoni u tha vëllezërve të Jozefit: "Me ç’punë merreni?". Ata iu përgjigjën Faraonit: "Shërbëtorët e tu janë barinj, si ne ashtu dhe etërit tanë".
4 Pastaj i thanë Faraonit: "Kemi ardhur për të banuar në këtë vend, sepse nuk kishte më kullota për kopetë e shërbëtorëve të tu, sepse ka zi të madhe në vendin e Kanaanit. Lejona tani që shërbëtorët e tu të banojnë në vendin e Goshenit".
5 Atëherë Faraoni ia drejtoi fjalën Jozefit, duke i thënë: "Ati yt dhe vëllezërit e tu erdhën te ti;
6 vendi i Egjiptit është në dispozicionin tënd; bëj që ati yt dhe vëllezërit e tu të banojnë në pjesën më të mirë të vendit; le të banojnë edhe në vendin e Goshenit. Dhe në qoftë se ti di që midis tyre ka njerëz të zotë, caktoji kryeintendentë të bagëtisë sime".
4 Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,
2 të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.
3 Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.
4 Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.