Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.
2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.
3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.
4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.
5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.
6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.
9 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.
3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:
4 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:
5 "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.
6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".
9 Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.
10 Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin.
11 Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan.
12 Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat.
13 Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan.
14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur.
15 Pastaj u tha atyre: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese;
16 ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar.
17 Dhe këto janë shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t’i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja;
18 do t’i kapin me dorë gjarpërinjtë, edhe nëse do të pijnë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t’u bëjë asnjë të keqe; do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen.”