Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.
2 Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.
3 Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.
4 O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.
5 Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.
16 Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vemendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.
17 "Ata do të jenë të mitë," thotë Zoti i ushtrive, "ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.
18 Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij".
4 "Sepse ja, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë," thotë Zoti i ushtrive, "në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.
2 Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij, dhe ju do të dilni dhe do të hidheni si viçat që dalin nga stalla.
3 Do t’i shkelni me këmbë të pabesët, sepse do të jenë hi nën tabanin e këmbëve tuaja gjatë ditës që unë po përgatis," thotë Zoti i ushtrive.
4 "Mbani mend ligjin e Moisiut, shërbëtorit tim, të cilit në Horeb i urdhërova statutet dhe dekretet për mbarë Izraelin.
5 Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.
6 Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.?
9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.
10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.
11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?.”
12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.
13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të.”