Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 40:1-11

40 "Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj.

I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij".

Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: "Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.

Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vëndet e vështira të sheshuar.

Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur".

Një zë thotë: "Bërtit!," dhe përgjigja që merr është: "Çfarë të bërtas?". "Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës

Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar.

Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë".

O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: "Ky është Perëndia juaj!".

10 Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend.

11 Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre.

Psalmet 85:1-2

85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.

Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)

Psalmet 85:8-13

Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.

Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.

10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.

11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.

12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.

13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.

2 Pjetrit 3:8-15

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.

Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.

11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,

12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?

13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.

14 Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe.

15 Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha;

Marku 1:1-8

Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.

Ashtu si është shkruar tek profetët: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.

Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”

Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.

Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.

Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.

Ai predikonte duke thënë: “Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.

Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”