Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.
2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.
3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.
4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?
5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.
6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.
7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.
18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.
19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.
2 Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre.
2 Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij.
3 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë po kurdis kundër këtij fisi një fatkeqësi, prej së cilës nuk mund të largoni qafën tuaj, as do të ecni me kokën lart, sepse do të jetë një kohë fatkeqësie.
4 Atë ditë do të dalë një proverb rreth jush, do të ngrenë një vajtim të zemërlënduar dhe do të thonë: "Jemi plotësisht të shkatërruar". Ai ka ndryshuar trashëgiminë e popullit tim. Ah, si ma mori! Arat tona ua shpërndau të pabesëve".
5 Prandaj nuk do të ketë më njeri që ta heqë litarin për ty, për të hedhur shortin në kuvendin e Zotit.
6 "Mos profetizoni," u thonë profetëve të tyre. Kështu ata nuk do të profetizojnë për këto gjëra, por nuk do ta largojnë turpin e tyre.
7 Éshtë thënë, o shtëpi e Jakobit: "A është i kufizuar Fryma e Zotit, apo këto janë veprat e tij? A nuk e bëjnë vallë rrezatues fjalët e mia atë që ec me ndershmëri?
8 Por kohët e fundit populli im ngriti krye si një armik; ju u merrni mantelin dhe rroben kalimtarëve që e ndjejnë veten të sigurt, atyre që kthehen nga lufta.
9 Ju i dëboni gratë e popullit tim nga shtëpitë tyre të mrekullueshme dhe u rrëmbeni për gjithnjë lavdinë time fëmijëve të tyre.
10 Çohuni dhe ikni, sepse ky nuk është një vend prehjeje; duke qenë i ndotur do t’ju shkatërroj me një shkatërrim të llahtarshëm.
11 Edhe sikur një njeri të ecte me një frymë falsiteti dhe të përhapte gënjeshtra, duke thënë: "Unë do të parathem për ty verë dhe pije dehëse," ai do të ishte një profet për këtë popull".
12 "Do të mbledh me siguri gjithçka, o Jakob, do të mbledh me siguri mbeturinën e Izraelit; do t’i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope në mes të kullotës së vet; do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.
13 Kush do të hapë të çarën, do të ngjitet para tyre; ata do të depërtojnë, do të kalojnë nga porta dhe prej saj kanë për të dalë; mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Zoti do të jetë në krye të tyre".
15 “Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
16 atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
17 Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
18 dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
19 Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t’u japin gji fëmijëve në ato ditë!
20 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
21 sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu," ose "Éshtë atje," mos i besoni.
24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
25 Ja, unë ju paralajmërova.
26 Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë," mos shkoni atje: Ja, është në dhomat e fshehta,," mos u besoni.
27 Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
28 Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat.”
29 “Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
30 Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.