Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 63:1-8

63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.

Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.

Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.

Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.

Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.

Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.

Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.

Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.

Numrat 13:1-2

13 Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre".

Numrat 13:17-14:9

17 Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore,

18 për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë;

19 si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;

20 dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.

22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.

24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,

26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.

27 Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.

28 Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.

29 Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; Hitejtë, Gebusejtë dhe Amorejtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa Kananejtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".

30 Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmëë me siguri".

31 Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne".

32 Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë.

33 Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t’u dukeshim atyre".

14 Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau.

Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë!

Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?".

Dhe i thanë njëri tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit.

Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre,

dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë.

Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".

Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata".

Mateu 17:22-27

22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve,

23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet.” Dhe ata u pikëlluan shumë.

24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: “Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?.”

25 Ai tha: “Po.” Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?.”

26 Pjetri i tha: “Prej të huajve.” Jezusi tha: “Bijtë, pra, përjashtohen.

27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua.”