Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
12 Pastaj Moisiu i tha Zotit: "Pa shiko, ti më thua: "Bëj që ky popull të ngjitet". Por ti nuk më ke thënë cilin do të dërgosh me mua. Megjithatë ke thënë: "Unë të njoh personalisht dhe ke gjetur hir në sytë e mi".
13 Prandaj tani, që më ke me sy të mirë, më bëj të njohura rrugët e tua, që të kem mundësi të të njoh dhe të fitoj hir në sytë e tu. Merr parasysh gjithashtu se ky komb është populli yt".
14 Zoti u përgjigj: "Prania ime do të shkojë me ty, dhe unë do të të jap pushim".
15 Atëherë Moisiu i tha: "Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej.
16 Si do të mund të njihet tani që unë dhe populli yt, kemi gjetur hir në sytë e tu? Ndofta kjo ndodh sepse ti vjen me ne? Kështu unë dhe populli yt do të dallohemi nga tërë popujt që jetojnë mbi faqen e dheut".
17 Zoti i tha Moisiut: "Do ta bëj edhe këtë gjë që ke kërkuar, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh personalisht".
18 Atëherë Moisiu tha: "Tregomë lavdinë tënde!".
19 Zoti iu përgjigj: "Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit para teje. Do të fal atë që do të fal dhe do të mëshiroj atë që do të mëshiroj".
20 Dhe tha akoma: "Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë".
21 Pastaj Zoti tha: "Ja një vend afër meje; ti do të rrish mbi shkëmbin;
22 dhe ndërsa do të kalojë lavdia ime, unë do të të vë në një të çarë të shkëmbit dhe do të të mbuloj me dorën time, deri sa të kem kaluar;
23 pastaj do ta tërheq dorën dhe ti do të më shikosh nga kurrizi; por fytyra ime nuk mund të shihet".
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve në Perëndinë Atë dhe në Zotin Jezu Krisht: paçi hir dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.
2 Ne përherë e falënderojmë Perëndinë për ju të gjithë, duke ju kujtuar në lutjet tona,
3 duke kujtuar vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundimin e dashurisë suaj dhe qëndrueshmërinë e shpresës në Zotin tonë Jezu Krisht përpara Perëndisë, Atit tonë,
4 duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj,
5 sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj.
6 Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë,
7 për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë.
8 Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë,
9 sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë,
10 dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen.
15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.
16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?.”
18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?
19 Më tregoni monedhën e taksës.” Atëherë ata i treguan një denar.
20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.”
21 Ata i thanë: “E Cezarit.” Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.”
22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.