Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2 Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
3 Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.
4 Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.
5 Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6 Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
7 U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.
8 Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.
9 Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.
10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.
11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.
12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.
7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;
8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.
9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.
10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;
11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;
12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: Mos bëni një gjë të tillë!!".
13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".
14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.
15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t’i imitonin.
16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.
20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.
25 Kur e gjetën përtej detit i thanë: “Mësues, kur erdhe këtu?”
26 Jezusi u përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur.
27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njëriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.”
28 Atëherë e pyetën: “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?.”
29 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.”
30 Atëherë ata i thanë: “Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besoj-më? Ç’vepër po kryen?
31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli".”
32 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.
33 Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës.”
34 Atëhere ata i thanë: “Zot, na jep gjithmonë atë bukë.”
35 Dhe Jezusi u tha atyre: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.